Vlerësimi i Efektivitetit të Menaxhimit të Parkut Kombëtar Prespë 2014-2024, nëpërmjet përdorimit të Instrumentit të Gjurmimit të Efektivitetit të Menaxhimit (METT), ishte aktiviteti i radhës, i organizuar me Grupin Këshillimor Rajonal, i përbërë nga përfaqsues të komunitetit dhe biznesit lokal, të Stacionit të Policisë Kufitare Pustec dhe të Shkollës së Mesme të Bashkuar Liqenas dhe me pjesëmarrjen e AdZM Korçë.
Nëpërmjet kësaj analize u evidentuan arritjet e deritanishme si dhe masat/veprimet që nuk ka qënë e mundur të realizohen, së bashku me arsyet apo shkaqet që kanë ndikuar në mos realizimin e tyre.
Takimi me Prefektin e Qarkut Korçë, z. Dhori Spirollari, Zv/kryetarin e Bashkisë Pustec, z. Jani Nikolla, specialistë të Prefekturës dhe drejtorin e AdZM Korçë, z. Mihallaq Qirjo. Nga grupi i punës u prezantuan objektivat e vlerësimit afatmesëm të Planit të Menaxhimit si dhe një përmbledhje e arritjeve të deritanishme dhe e problemeve të identifikuara, gjatë takimit të parë të datës 22 korrik, me stafin e AdZM Korçë, për zbatimin afatmesëm të Planit të menaxhimit të Parkut Kombëtar “Prespë“.
Takimi i dytë u organizua në P.K. “Prespë“, ku morrën pjesë përfaqsues të Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit, të Shoqatës së Përdoruesve të Pyjeve dhe Kullotave, të Shoqatës “Prespa Marketing” dhe të kultivuesve dhe tregtuesve të prodhimeve të dyta, si grupe interesi, si dhe përfaqsues të AdZM Korçë. Gjatë takimit u diskutua mbi masat e përfshira në Planin e Menaxhimit të P.K. “Prespë“, që lidhen me veprimtarinë e këtyre grupeve të interesit, problemet dhe vështirësitë e hasura si dhe u shkëmbyen mendime për hapat e nevojshëm që duhen ndërmarrë, për realizimin e tyre në vijim, deri në vitin 2024.